Dokumentari i ri për legjendën e Formula 1, “Schumacher ’94: The Birth of a Legend”, sjell një rrëfim të rrallë dhe emocional nga Corinna Schumacher, e cila prej vitesh mbron me fanatizëm privatësinë e bashkëshortit të saj pas aksidentit të rëndë në ski në vitin 2013.
Në dokumentar, Corinna flet për fillimet e lidhjes së tyre dhe tregon se kënga “Rush Rush” e Paula Abdul ishte kënga e tyre e dashurisë.
“Ajo ka qenë gjithmonë kënga jonë. Edhe sot, kur e dëgjoj ndërsa jam vetëm në makinë, filloj të qaj”.
Ajo kujtoi gjithashtu se në fillim nëna e saj nuk e miratonte lidhjen me Schumacherin, pasi e konsideronte atë agresiv në pistat e kartingut.
Corinna tregoi edhe një histori nga periudha e famës së madhe të Michaelit. Mes mijëra letrave nga fansat, një vajzë e re e quajtur Juta i dërgonte rregullisht edhe të brendshme, së bashku me letrat.
Dokumentari nuk tregon se si duket sot 57-vjeçari Schumacher. Mediat britanike dhe burime pranë familjes pretendojnë se ai nuk është më i lidhur pas shtratit dhe se kalon kohë në një karrige speciale me rrota, nën kujdesin e familjes dhe stafit mjekësor.
)
Një burim pranë familjes ka thënë se Schumacher nuk ndodhet në një gjendje “locked-in” dhe se besohet se kupton disa nga gjërat që ndodhin rreth tij, megjithëse jo gjithçka.
Corinna vazhdon të ruajë privatësinë e bashkëshortit dhe familjes së saj.
“Michael gjithmonë na ka mbrojtur ne. Tani është radha jonë ta mbrojmë atë. Michael është këtu. Është ndryshe, por është këtu dhe kjo na jep forcë”.



