Anthony Joshua ka bërë të ditur se do të rikthehet në ring në vjeshtën e këtij viti. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë deklaroi se sfida e tij e radhës do të jetë më datat 20 ose 21 shtator, në stadiumin Wembley, në Londër.
Britaniku tregoi gjithashtu se rivali i tij i radhës do të vendoset pas datës 1 qershor. Në këtë datë do të zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite dueli i madh “5 kundër 5” mes boksierëve të kompanive Matchroom dhe Queensberry, mes promotorëve Eddie Hearn dhe Frank Warren.
Joshua, i cili e mposhti Ngannou brenda dy raundeve më 8 mars, konfirmoi se katër janë boksierët e mundshëm që mund të sfidojë. Më 1 qershor, do të përballen mes tyre Deontay Wilder me Zhilei Zhang si dhe Filip Hrgovic me Daniel Dubois.
Faktori vendimtar se me kë do të luftojë do të varet nga performanca e rivalit të tij. Duke folur për “talkSPORT”, Joshua tha: “Sa herë që më thonë se ka një duel, do të jem gati 100 për qind. Sfida ime e radhës do të jetë në Londër, në stadiumi ‘Wembley’”.

“Kjo është ajo që më tha menaxheri im. ‘Wembley’, më 20 ose 21 shtator. Rivali im do të mësohet së shpejti. Më 1 qershor do të shohim Filip Hrgovic vs Daniel Dubois dhe Zhilei Zhang vs Deontay Wilder”, u shpreh Anthony Joshua.
“Do të dueloj më atë që duket më mirë. Do të më pëlqente të dueloja me Fury, por ai ka impenjimet e tij me Usyk. Kështu, do të vazhdoj të kaloj nëpër kundërshtarë në mënyrë që të afrohem gjithnjë e më afër sfidës me Tyson Fury”, tha Joshua.



