Njëra nga ndeshjet që pritet me interesim më të madh në vazhdim të Kampionatit është ajo ndërmjet Belgjikës e Francës.
Belgjika ka kaluar nga Grupi E me vështirësi, pasi ka marrë vetëm katër pikë nga tre ndeshje.
Kapiteni i Belgjikës, Kevin De Bruyne ka folur për kualifikimin duke thënë se janë të lumtur edhe pse merituan më shumë ndaj Ukrainës.
Megjithatë ikona e Kombëtares belge dhe Manchester Cityt ka thënë se ndaj Francës nuk janë favoritë.
“Jam i lumtur pasi jemi të kualifikuar. Nuk do të jemi favoritë ndaj Francës, por e dimë që në një turne të tillë duhet të luajmë në mënyrën më të mirë”.
“Ndaj Ukrainës e merituam të fitonim, nisëm mirë, me presion shumë të lartë, por pavarësisht përpjekjeve, ne nuk finalizuam dhe pastaj në fund thjesht menduam për kualifikimin”, tha De Bruyne.
Franca dhe Belgjika do të përballen të hënën me fillim nga ora 18:00 në Dyseldorf.



