Federata e Notit e Kosovës e shqetësuar thellë me vendimin e KOK-ut
F

Federata e Notit e Kosovës e shqetësuar thellë me vendimin e KOK-ut

Federata e Notit e Kosovës (FNK) është thellë e shqetësuar me ndërhyrjen nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në përzgjedhjen e notarëve për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike, “Paris 2024”.

Bëhet fjalë për notarin Adel Sabovic, i cili nuk ka qenë i propozuar nga FNK, por është në ekipin olimpik të Kosovës.

Kryetari i FNK-së, Agron Zeqiri, në një konferencë për media, të mbajtur të hënën, ka thënë se kjo që ka ndodhur është skandal sportiv.

“FNK-ja është e shqetësuar me listën e pjesëmarrësve në LO. Më 23.06.2024, në mbledhjen e mbajtur nga Bordi, unanimisht kemi vendosur që noti të përfaqësohet me Mal Gashin, sportistin që ka sjellë më së shumti FINA pikë (701) në historinë e notit kosovar dhe Hana Bejiqin me 695 pikë. Por, çuditërisht, Mal Gashi nuk gjendet në ekipin olimpik, ndërsa aty figuron emri i Adel Sabovic, i cili nuk i plotëson kriteret për të përfaqësuar Kosovën”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka shtuar se Sabovic e ka marrë nënshtetësinë e Kosovës, por nuk ka qenë tri vjet rezidencial në Kosovë dhe për të njëjtën arsye nuk ka mundur ta përfaqësojë Kosovën në garën në Doha të Katarit.

Numri një i FNK-së ka thënë se për këtë rast kanë heshtur KOK-u dhe institucionet tjera kanë heshtur.

Gjithsesi, Zeqiri ka bërë të ditur se do të ndërmerren hapa juridik.

E për hapat juridik ka folur avokati Fis Murati.

“KOK-u ka vendosur në mënyrë arbitrare që Mal Gashi të mos jetë në ‘Paris 2024’, ndërsa në ekipin olimpik të jetë Adel Sabovic. Të gjithë pjesëmarrësit tjerë të ekipit olimpik janë të propozuar nga federatat përkatëse, por jo edhe Sabovic i cili është futur në listë nga KOK. Për këtë arsye, FNK ka ngritur kallëzim penal ndaj sekretarit të përgjithshëm të KOK-ut, Besim Aliti dhe kryetarit Ismet Krasniqi”.

Ndërsa, edhe trajneri Besart Shala, ka folur për situatën e krijuar.

“Ne e mirëpresim konkurrencën, por jo zarfet që shkatërrojnë karriera, siç është rasti me Mal Gashin. Ai është në gjendje të rënduar emocionale dhe i ka ndërprerë stërvitjet. Mali është bursist i KOK-ut dhe notari që i ka sjellë më së shumti pikë notit të Kosovës. Adel Sabovic nuk e përfaqëson Kosovën dhe nëse të tjerët heshtin, ne nuk do të heshtim”, ka theksuar Shala.

I revoltuar me situatën është shprehur edhe nënkryetari i FNK-së, Egzon Fejzullahu.

“Bëhet fjalë për shkeljen e procedurave, sepse të gjitha të drejtat në përzgjedhje i ka FNK-ja. Ky është rasti i parë në botë kur hidhet poshtë kontributi i padiskutueshëm i një sportisti dhe një tjetër që nuk e njeh askush nga ne të jetë në ekipin olimpik të Kosovës. Pra, ai do të shkojë në Presidencë dhe do të marrë Flamurin e Kosovës edhe pse në asnjë garë nuk e ka përfaqësuar Kosovën. Ky është skandal i madh sportiv”, ka thënë Fejzullahu.

 

TË FUNDIT