Eliminimi i Brazilit në Kupën e Amerikës i ka zhgënjyer miliona njerëz, , ndërsa emocionet negative rrethojnë “Seleçaon”, teksa tregojnë trajnerin Dorival Junior si fajtorin kryesor.
Gjatë një interviste dhënë për “Betfair”, fituesi i “Topit të Artë” të vitit 1999, Rivaldo i çoi gjërat më tej, duke trajtuar çështjet kritike të pranishme sot në ekipin kombëtar brazilian:
“Unë flas si ish-lojtar i Kombëtares braziliane. E di që këto kritika janë normale dhe se lojtarët duhet të marrin përgjegjësi. Kupa e Amerikës për Brazilin ishte një turp”.
Ish-kampioni brazilian iu bëri thirrje lojtarëve që të “bëjnë një hap përpara”, veçanërisht për sa i përket cilësisë dhe karizmës:
“Ajo që shihni është se Brazili ndodhet në një moment të vështirë për sa iu përket lojtarëve. Me gjithë respektin për ata që janë në kombëtare, duhet të japin pak më shumë. Ne kemi shumë lojtarë që nuk kanë pasur përvojën e nevojshme për të luajtur ndeshje kaq të rëndësishme me kombëtaren. Brazili kishte lojtarë që nuk ishin gati për Kupën e Amerikës”.



