Spanja ka fituar me rezultat 2:1 ndaj Anglisë në ndeshjen finale të EURO 2024.
Në këtë mënyrë, Spanja është bërë kombëtarja e parë që e fiton katër herë titullin e kampionit evropian, ndërsa ka vazhduar mallkimi për anglezët që nuk kanë triumfuar asnjëherë.
Ndeshja filloi me ritëm të qetë, me dy kombëtaret që studionin nga afër lojën e njëra-tjetrës.
Më pas Spanja filloi të dominonte, duke shfaqur më shumë nga loja, ndërsa anglezët prisnin nga kundërsulmet.
Anglia luante shumë e ngjeshur në mbrojtje dhe kishte vështirësi të dilte përpara.
Në anën tjetër, Spanja nuk ia doli ta thyente mbrojtjen e “Tre Luanëve”, ndërsa këta të fundit regjistruan rastin e parë serioz në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.
Pjesa e dytë nisi më i mirë për Spanjën, që ia dolën të shënonin golin e epërsisë me anë të Nico Williams (47’), që u asistua prej Lamine Yamal.
Por, “Tre Luanët” u aktivizuan më shumë në sulm, ku ndikuan edhe zëvendësimet.
Nga këto ndryshime, Cole Palmer që zëvendësoi Kobbie Mainoon, realizoi super gol nga distanca në minutën e 73-të me një asistim të Jude Bellingham.
Por, Spanja ishte sërish më dominuese, duke ia dalë të shënojnë golin e fitores.

Marc Cucurella e gjeti në mënyrë perfekte Mikel Oyarzabalin, që ia doli të rikthente epërsinë në 2-1 në minutën e 86-të.
Anglia pati goditje të njëpasnjëshme në fund, por që mbrojtja e “Furisë së Kuqe” nuk u thye dhe ia doli të fitojë Kampionatin Evropian.




