Alvaro Morata është sulmuesi i ri i Milanit. Kuqezinjtë do të paguajnë 13 milionë euro në arkat e Atletico Madrid për kartonin e kapitenit të Kombëtares spanjolle, i cili ka kryer testet mjekësore në Madrid.
31-vjeçari rikthehet kështu në Serie A, kampionat ku ka luajtur më parë në dy periudha të ndryshme me Juventusin.
“Arsyeja e kësaj zgjedhjeje ishte besimi i Ibrahimovic, trajnerit dhe skuadrës. Mezi po pres të nis aventurën me Milanin. Do të stërvitem që nesër, por më parë më duhet të kaloj pak kohë me familjen”, ka thënë Morata.
“E di që vitet më të bukura të karrierës i kam përpara. Po pres me padurim t’i bashkohem Milanit, një klub madhështor”, u shpreh sulmuesi nga Madridi.

Morata do të firmosë deri në 2028 me “Djallin”, kontratë nga e cila do të përfitojë rreth 5 milionë euro në sezon, plus bonuset.
Kuqezinjtë do të tentojnë edhe një tjetër sulmues. Në krye të listës së dëshirave është gjermani Niclas Fullkrug, sulmuesi i Dortmundit dhe Kombëtares së Gjermanisë.
Kartoni i tij kushton rreth 15 milionë euro. Alternativa e 31-vjeçarit nga Hannoveri është anglezi Tammy Abraham i Romës.



