Ballkani ka fituar me rezultat 2-0 ndaj Hamrunit në Maltë, duke siguruar kualifikimin në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës.
Rasti i parë në këtë ndeshje i takoi Ballkanit të cilët rrezikuan në minutën e katërt përmes Bernard Karricës, por që nuk ia doli të shënojë.
Një tjetër mundësi e mirë për Ballkanin u krijua në minutën e 17-të, kur Almir Kryeziu detyroi portierin vendas Bonello të intervenojë.
Dominimi i therandasve ishte i plotë gjatë këtyre 45 minutave të para, ndërsa vendasit nuk arritën të rrezikojnë asnjëherë seriozisht portën e Enea Koliqit.
Golin e epërsisë për Ballkanin e shënoi Walid Hamidi i cili shfrytëzoi një pasim të gabuar të portierit për të shënuar për 1-0 në minutën e 64-t.
Goli i qetësisë për Ballkanin erdhi në minutën e 76-të nga Bernard Karrica i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë për 2-0.
Kundërshtari i ardhshëm i Ballkanit në Ligën e Konferencës pasi eliminuan Hamrunin do të jetë ekipi nga Irlanda Veriore, Larne.



