Llapi përshëndetet me barazim nga garat evropiane
L

Llapi përshëndetet me barazim nga garat evropiane

Llapi është eliminuar nga Brondby në Ligën e Konferencës, pasi barazoi 2:2 në ndeshjen e kthimit, ndërsa në të parën pati pësuar humbje 0:6.

Pas disa rasteve të mira, nuk vonoi goli i epërsisë së Llapit në këtë ndeshje.

Ilir Blakqori asistoi te Elvir Gashijani i cili pranoi topin dhe me një goditje të saktë arriti të mposhtë portierin për 1-0.

Llapi ia arriti të ruajë epërsinë dhe të shkojë në pushim me rezultat 1-0.

Në 45 minutat e dytë, Llapi ia doli të shënonte edhe njëherë, por pësoi dy gola të tjerë.

Pas 53 minutash lojë, Brondby i barazoi shifrat në 1-1 me golin e Emmanuel Yeboah.

Vetëm tetë minuta kaluan dhe mysafirët e përmbysën rezultatin në 2-1, kur Ohi Omoijuanfo shënoi nga penalltia.

Llapi ia doli t’i barazonte shifrat në 2-2 falë një auto-goli nga Thomas Mikkelsen që u shënua në minutën e 66-të.

Kështu, skuadra nga Podujeva u eliminua nga raundi i dytë kualifikues për në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, ndërsa do të fokusohet tani në nisjen e edicionit 2024/25 në Superligën e Kosovës.

Ajo çfarë ra në sy është fakti se në stadiumin “Zahir Pajaziti” kishte diku rreth 200 tifozë të skuadrës mysafire që kishin udhëtuar nga Danimarka.

TË FUNDIT