Katër gola në dy ndeshje, kjo është “CV” e Mirlind Dakut në këtë fillim sezoni në Rusi, shifra që tregojnë qartë formën e shkëlqyer që po kalon “bomberi” kuqezi.
Daku ishte protagonist absolut në sfidën e fundit, atë kundër Akron Togliatti, i vetëm i dhuroi tri pikët ekipit të tij. Rubin Kazan e gjeti veten në dizavantazh që në minutën e 9-të, por me fillimin e pjesës së dytë, Daku detyroi kundërshtarët e tij të dërgonin topin në rrjetë, një autogol që rikthehu baraspeshën.
Atëherë kur gjërat po shkonin drejt fundit, në minutën e 90-të, pas një goditje këndi, Daku me dhunë dërgoi topin në rrjetë duke përmbysur shifrat. U desh një kohë e gjatë që VAR ta cilësonte aksionin e rregullt, një gol tre pikësh që u festua gjatë.

Në përfundim të ndeshjes, Daku u vlerësua si lojtari më i mirë i takimit, ndërsa u prit me ovacione nga shokët e skuadrës në dhomat e zhveshjes, një moment që tregon qartë peshën e tij në këtë skuadër.
Forma e shkëlqyer e Dakut është pa diskutim një lajm i mirë për Sylvinhon, i vetmi qendërsulmues që po gjen rrugën e rrjetës në vazhdimësi këtë fillim sezoni.



