Te skuadra e sapo inkuadruar në Ligën Premiere, Ipswich, pritet të krijohet një koloni e vogël shqiptare, sepse ekipit do t’i bashkohet edhe Ernest Muçi.
Sipas mediave të specializuara në merkato, klubi që në këtë sezon debuton në elitën e futbollit anglez ka arritur marrëveshjen me Besiktas, për transferimin e 23-vjeçarit.
Vetëm gjashtë muaj pas transferimi te gjigantët turq, Muçi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të rëndësishme. Përpos ofertave nga Turqia, Aston Villa kishte ofruar 10 milionë euro për sulmuesin kuqezi, teksa interes kishte shfaqur edhe West Ham.

Megjithatë, tek Ipswich u treguan më të shpejtë, duke arritur marrëveshjen me Besiktasin. Për Muçin është caktuar edhe datat e vizitave mjekësore dhe firma në kontratë duket formalitet.



