Cristiano Ronaldo është një moment tjetër kritik të karrierës, ndoshta në të fundit fare, pasi skuadra e tij, Al Nassr, pësoi disfatë të rëndë në finalen e Superkupës së Arabisë Saudite.
Kampionia e vendit, Al Hilal, tregoi sërish dominimin me suksesin 4-1, ndërsa CR7 pati një shpërthim tipik të tijin pas pësimit të golit të katërt.
Edhe pse futbolli është lojë ekipore dhe humbjet e fitoret ndahen bashkë, sërish superylli portugez iu përvesh shokëve me gjeste duke i akuzuar se po flinin gjumë, dhe se nuk po jepnin aq sa duhet.
Kjo padyshim që ka sjellë hatër mbetje në dhomën e zhveshjes, ndërsa disa prej yjeve tek Al Nassr, nuk janë në nivelin e pritur.
Të tillë si Sadio Mane apo Aymeric Laporte pritet të largohen, e klubi saudit nuk po mundet të bindë emra të tjerë të mëdhenj që t’i zëvendësojë.

Fitorja e trofeve duket thuajse e pamundur, pasi vjet Al Hilal fitoi kampionatin dhe Kupën.
Liga Profesioniste saudite ende nuk ka filluar, por ajo që ndodhi në finalen e Superkupës e tregon shumë qartë gjendjen e Al Nassrit dhe të Ronaldos.
Për më tepër, klubi ka një krizë financiare, pasi pronarët nuk do të shpenzojnë ashtu si më parë, ndonëse rroga e Cristianos, më e larta në botë dhe në histori, prej 200 milionë eurosh në vit nuk është në rrezik.



