Kombëtarja shqiptare, të hënën, nisi zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet ndaj Ukrainës (7 shtator, “Epet Arena”) dhe Gjeorgjisë (10 shtator, “Air Albania”), të vlefshme për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Në kuadër të këtyre dy sfidave të rëndësishme për kuqezinjtë, mesfushori Arbër Hoxha dha një prononcim për fshf.org, duke treguar objektivat e Shqipërisë në këtë garë dhe se si po shkojnë përgatitjet e Kombëtares.
“Së pari dua të fokusohemi te ndeshja e parë me Ukrainën, që e kemi më 7 shtator. Është një kundërshtar i fortë, ka lojtarë shumë cilësorë në radhët e veta. Kemi edhe disa ditë për të përgatitur ndeshjen dhe të fokusohemi 100% që të arrijmë një rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, ka thënë Hoxha.
Më pasi ai ka folur për sfidën me Gjeorgjinë në “Air Albania”.
“Është një ndjenjë e madhe, sepse është ndeshja ime e parë në stadiumin ‘Air Albania’. I bëj thirrje shqiptarëve që të jenë sa më të shumtë dhe të mbushin stadiumin”.

Sulmuesi kuqezi tregon edhe synimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.
“Duke marrë parasysh që është një mundësi shumë e mirë për Botërorin, pse mos të renditemi në vendin e parë. Kemi skuadra shumë të forta në grup, por ne do të japim maksimumin gjithmonë për Kombëtaren tonë”.



