Që nga nisja e sezonit, në pesë takime 17-vjeçari Lamine Yamal, ka shënuar 3 gola e ka dhënë 4 asistime. Ai ka qenë i përfshirë në 12 raste në realizimin e golave. Te Barcelona e dinë mirë se një futbollist me potencial të tillë është kthyer në dëshirën e shumë klubeve të mëdha.
Dhe drejtuesit e klubit po mendojnë të bëjnë një kontratë të re, që edhe ta kënaqë futbollistin, por edhe të largojnë shqetësimet për një largim të tij. Ideja e drejtuesve është që ylli i Spanjës të nënshkruajë një kontratë profesionale kur të mbushë 18 vjeç deri në vitin 2030. Natyrisht me kushte ekonomike në përputhje me vlerën e futbollistit dhe performancën që ai ofron. E kjo përkthehet me një rrogë të çmendur!

Në të kundërt, klube si PSG janë gati të bëjnë oferta faraonike. Në afatin kalimtar të verës, klubi parisien ofroi 250 milionë euro për kartonin e Jamal, por që u refuzua menjëherë nga blaugranat.
Barcelona e së ardhmes do të bazohet te lojtarë që janë rritur në klub. Drejtuesit do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me futbollistë të tjerë me potencial si Fermin, Kubarsi dhe Gavi.



