Torino ka marrë lajmin e keq, pasi sulmuesi kolumbian Duvan Zapata ka dëmtuar meniskun dhe do të qëndrojë për një periudhë shumë të gjatë jashtë fushave. Madje përflitet se sezoni është i përfunduar që tani për 33-vjeçarin.
Ky dëmtim ka detyruar skuadrën e Torinos të hidhet në treg, për të sjellë që tani një përforcim. Dhe një nga emrat në listë është ai i sulmuesit italian Mario Balotelli. 34-vjeçari është aktualisht pa skuadër dhe mund të federohet në çdo moment.
Sipas të përditshmes “La Stampa”, menaxherët e Balotelli kanë nisur nga puna dhe po kontaktojnë me drejtuesit e ekipit të njohur italian. Ndërsa vetë futbollisti ka pohuar së fundi se ka refuzuar disa oferta të mira nga jashtë Italisë, madje edhe nga Amerika Latine, për të luajtur sërish në Serie A.



