Në ekipin që do ta përfaqësojë Kosovën në FIA Motor Sport Games “Valencia 2024” do të jetë edhe Dion Kajtazi.
Dioni, i lindur në Zvicër, aktualisht jeton në Francë, do të garojë në disiplinën më atraktive, drift dhe është shprehur i kënaqur që do të jetë pjesë e ekipit kosovar.
“Dua të përshëndes ekipin e FASK-ut dhe gjithë anëtarët e motorsportit shqiptar. Do të garoj në disiplinën drift dhe jam shumë i lumtur që do ta përfaqësoj Kosovën në këto gara. Synimi im është të arrij rezultat sa më të mirë dhe t’u tregojmë të gjithëve se edhe shqiptarët kanë pilotë shumë të mirë në këtë sport të jashtëzakonshëm”, ka thënë Dioni për faqen zyrtare të FASK-ut.

Ai ka treguar se makina e tij është e tipit BMW e92 me 900 hp, e punuar nga ai dhe ekipi i tij, ndërsa aktualisht është duke garuar në kampionatin francez, në kategorinë elite/pro.
Lojërat “Valencia 2024” mbahen nga 23-27 tetor, ndërsa përveç Kajtazit, Kosovën do ta përfaqësojnë edhe Rubina Krasniqi e Rion Tytynxhiu në karting sllallom, Dashurie Sefa e Genc Macula në auto sllallom me vetura elektrike, Baran Karabeg në E-Sport Formula 4 dhe Drilon Ahmetaj në E-Sport GT.



