Ferizaj befason Gjilanin në shtëpi
F

Ferizaj befason Gjilanin në shtëpi

Ferizaj ka shënuar fitore në udhëtim te Gjilani me rezultat 2-1 në kuadër të javës së nëntë në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Ky takim e hapi xhiron e nëntë teksa nga dy takime të tjera do të luhen të shtunën dhe të dielën.

Mysafirët që nga minuta e parë treguan se nuk kishin ardhur në Gjilan për shëtitje, duke rrezikuar portën e Kenan Haxhihamzës në disa raste.

Për golin e epërsisë u përkujdes Edon Sadriu i cili në minutën e 15-të shënoi për rezultatin 1-0 pas një aksioni të bukur të ferizajasve.

Pak minuta para se gjyqtari të sinjalizonte për përfundimin e pjesës së parë, Ferizaj shënoi edhe golin e dytë, këtë herë me anë të Abdul i cili realizoi për 2-0.

Avantazhi prej dy golave nuk e zmbrapsi aspak Ferizajn të cilët në minutën e 50-të tundën edhe një herë tjetër rrjetën me Edon Sadriun, por goli u anulua nga VAR-i për ndërhyrje të palejuar gjatë ndërtimit të aksionit.

Vendasit arritën të shënojnë gol me anë të Senad Jarovic i cili shënoi me kokë në minutën e 71-të për rezultatin 1-2.

Kjo ishte e tëra çfarë mund të bënin gjilanasit pasi mysafirët ia dolën të rezistojnë deri në fund duke ruajtur epërsinë që e krijuan në pjesën e parë.

Gjilani e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë në fushë pas përjashtimit me karton të kuq të Jamal Aragos dhe Besir Ramadanit.

Pas javës së nëntë Gjilani zbret në pozitën e tetë me nëntë pikë, teksa Ferizaj tashmë ka marrë vendin e shtatë me 10 sosh.

TË FUNDIT