Zabërgja, i emocionuar për ftesën e parë
Z

Zabërgja, i emocionuar për ftesën e parë

Përfaqësuesja e Kosovës ka zhvilluar të hënën seancën e parë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet e këtij muaji në UEFA Nations League, kundër Rumanisë, më 15 nëntor në Bukuresht, dhe kundër Lituanisë, më 18 nëntor në Prishtinë.

Stërvitja e parë u mbajt në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ku morën pjesë lojtarët që kishin përfunduar ndeshjet e fundjavës të shtunën, ndërsa futbollistët që kishin luajtur të dielën kryen rigjenerim.

Në këtë seancë stërvitore u përfshin: Visar Bekaj, Florent Muslija, Muharrem Jashari, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Fidan Aliti, Florent Hadërgjonaj, Andi Hoti, Baton Zabërgja dhe Art Smakaj. Këta dy të fundit, shprehën emocionet e tyre për përfshirjen në Kombëtare dhe shfaqën optimizmin për dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni.

“Për mua është ndjenjë e papërshkrueshme sepse për çdo futbollist është ëndërr të arrijë të jetë pjesë e ekipit kombëtar. Më vjen shumë mirë që e kam realizuar këtë ëndërr dhe shpresoj ta bëj maksimumin tash dhe në vazhdim që të bëj ndeshje sa më të mira me kombëtaren. Pritja ka qenë shumë e ngrohtë. I gjithë grupi është shumë i mirë dhe më ka pritur në mënyrë shumë të mirë. Mendoj se kemi një ekip shumë të mirë që të arrijmë rezultate pozitive në të ardhmen. Normalisht e dimë se Rumania ka qenë kundërshtari më i fortë në këtë grup, por duke pasur parasysh edhe lojtarët që ne i kemi, mendoj se mund të dalim me rezultat pozitiv nga Rumania”, tha Baton Zabërgja, i cili është grumbulluar për herë të parë me Përfaqësuesen A.

TË FUNDIT