Shpeshherë thuhet se lumturia zgjat vetëm një çast.
Për klube të tilla si Bayer Leverkusen kjo mund të vazhdojë një sezon e jo më shumë, dhe duket se këtë e di edhe trajneri i “aspirinave”, Xabi Alonso.
Tekniku bask fitoi vjet titullin e Bundesligës pa pësuar asnjë humbje, po ashtu Kupën e Gjermanisë, ndërsa arriti finalen e Ligës së Evropës, por duket se kësaj përralle i ka ardhur fundi.
Mediat njoftojnë që spanjollin e duan dy klube të mëdha.
E përditshmja gjermane, “Bild”, shkruan se klubi më i madh i botës, Reali i Madridit, është i interesuar për shërbimet e Alonsos në 2025, ashtu si Manchester City, pasi Carlo Ancelotti e Pep Guardiola mund të largohen.
Për më tepër, sukseset e edicionit të kaluar duken të vështira që të përsëriten.
Leverkusen barazoi në ndeshjen e fundit të Bundesligës, ndonëse luajti në fushën e vet ndaj Stuttgartit.
Një 0-0 që pritet t’i lerë kampionët edhe më pas rivalëve kryesorë si Bayern Munich dhe Leipzig.

Alonso deklaroi pas sfidës se ekipi i tij nuk pati fat, dhe se duhej të kishte fituar, por gjithsesi Leverkuseni ka vetëm 4 suksese në 9 ndeshje të kampionatit deri tani.
Mesa duket, epokës së trajnerit në “BayArena” i ka ardhur fundi, dhe tifozët e Realit apo të Cityt shpresojnë që ai të ngre trofe me ekipet e tyre.



