Piloti spanjoll i Ducati Pramac, Jorge Martin, u shpall të dielën pasdite kampion bote në MotoGP për vitin 2024. Atij i mjaftoi vendi i tretë, i arritur në garën e zhvilluar në pistën e Montemelo, para fansave të tij në Barcelonë, për të fituar titullin e parë në karrierë në këtë kategori.
Martin kishte 19 pikë epërsi para garës ndaj italianit të Ducati, Francesco Bagnaia, ndaj u mjaftua me administrimin e avantazhit, në një garë ku nuk rrezikoi aspak, duke fituar titullin me 10 pikë më shumë se italiani. Ai la pas Bagnaia e Marc Marquez të duelonin për fitoren, duke bërë një garë më vete.
Bagnaia bëri detyrën, duke fituar garën e fundit sezonale dhe shpresuar te titulli kampion, por nuk ia doli dot të përmbysë renditjen. Italiani shpresoi te fati apo ndonjë gabim i Martin, në një fundjavë ku ishte dominues, por kjo nuk mjaftoi (fitoi edhe garën sprint të shtunën).

Italiani e nisi garën nga “pole” dhe e ruajti kreun deri në fund, duke lënë pas Marquez (i dyt). Martin e mbylli garën i treti dhe më pas nisi festën për këtë triumf të madh në karrierën e tij.



