Frank Lampard është konfirmuar si trajneri i ri i Coventryt, pas një mungese 18-mujore në gara. Ish-mesfushori i Anglisë dhe Chelseas ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare e gjysmë me “Blues” , të cilët janë në vendin e 17-të në Championship.
Lampard pason ish-trajnerin Mark Robins, i cili u shkarkua pas shtatë vitesh në krye të klubit, që gjendet dy pikë mbi zonën e rënies.
Pronari dhe kryetari ekzekutiv i Coventry, Doug King tha: “Jam i kënaqur që Frank Lampard ka pranuar t’i bashkohet klubit tonë si trajner kryesor. Frank është provuar në Championship dhe e di se çfarë nevojitet në këtë ligë për të qenë i suksesshëm”.
Lampard ka qenë pa punë që kur u largua nga Chelsea në vitin 2023, pasi u kthye në një rol të përkohshëm pas shkarkimit të Graham Potter. Ai kishte dy qëndrime me “Blutë”, ndërsa ishte trajner edhe në Derby dhe Everton.



