Legjenda e rally-t dhe dy herë kampioni i botës, Carlos Sainz, arriti fitoren në Rally de Asturias Historico, duke debutuar në garë me një veturë Ford Puma Rally1 të gjeneratës së fundit të WRC-së.
Kampioni i viteve 1990 dhe 1992, tashmë 64-vjeçar, garoi së bashku me bashkëdrejtuesin e tij të vjetër, Luis Moya, në një garë me 10 etapa dhe gjithsej 126.66 kilometra konkurrues.
Në këtë garë morën pjesë edhe dy rivalë të tij të dikurshëm: nëntë herë kampioni i botës Sebastien Loeb dhe fituesi i katër garave të WRC-së, François Delecour, të dy me Peugeot 306 Maxi.
Loeb fitoi tri etapat e para dhe krijoi epërsi prej 24.9 sekondash ndaj Sainz. Por spanjolli reagoi duke fituar dy nga tri etapat pasuese.
Në etapën e tetë, Loeb pati problem me friksionin e Peugeot-it të tij dhe u detyrua të humbiste epërsinë. Kështu, Sainz siguroi fitoren me 1 minutë e 3.6 sekonda epërsi ndaj Delecour.

Sainz: Një fundjavë e jashtëzakonshme
“Emocione, padyshim! Por më shumë se rezultati, rëndësi kishte e gjithë fundjava. Ishte një përvojë e jashtëzakonshme, falë njerëzve dhe atmosferës. Jam shumë i lumtur me mënyrën se si shkoi gara”.
Gjatë karrierës së tij në WRC, Sainz mori pjesë në 196 gara, duke regjistruar 26 fitore dhe 97 podiume me Toyota, Subaru, Lancia, Ford dhe Citroën.
Pas përfundimit të karrierës në WRC në vitin 2005, ai vazhdoi garat rally-raid, ku fitoi katër herë Rally Dakar (2010, 2018, 2020 dhe 2024).
Në vitin 2025, Sainz iu bashkua programit zyrtar të Fordit në Kampionatin Botëror Rally-Raid, ku këtë sezon renditet në vendin e nëntë në klasifikimin e përgjithshëm.



