Kevin De Bruyne është në kërkim të ëndrrës amerikane. Mesfushori 33-vjeçar belg mund t’i thotë lamtumirë Manchester City në fund të sezonit, nëntë vjet pasi filloi historinë e tij me “citizens”.
Sipas “The Athletic”, De Bruyne (400 ndeshje dhe 104 gola me Cityn) është gjithnjë e më pranë transferimit në MLS (kampionatin amerikan të futbollit) dhe kjo pritet të ndodhë në verën e këtij viti. Mediat angleze saktësojnë gjithashtu se De Bruyne dëshiron të vendoset në Kaliforni.
Për këtë arsye, belgu mund të vazhdojë karrierën e tij në San Diego FC, e cila këtë vit do të marrë pjesë në sezonin e parë në Ligën Amerikane. Kontrata e tij me Manchester City skadon në verë dhe do të jetë lojtar i lirë.
De Bruyne ka patur mjaft oferta të majme edhe nga Arabia Saudite, por duket se ka vendosur të shkojë në Amerikë. Edhe “citizens” janë përpjekur për t’ia rinovuar me një vit kontratën, por lojtari ka plane të tjera.



