Në kryeqytet, vazhdon të jetë në fuqi gjendja emergjente për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Drejtori i Shërbimeve Publike në kryeqytet, Bekim Brestovci, në një intervistë për Telegrafin ka deklaruar se që nga shpallja e gjendjes emergjente, Ndërmarrja “Pastrimi” nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të përmirësuar situatën e krijuar.
Sipas Brestovcit, zgjidhja e vetme mbetet kontraktimi i operatorëve privatë për menaxhimin e mbeturinave.
Ai gjithashtu bëri të ditur se, me një procedurë të përshpejtuar, do të mundohen të kontraktojnë kompanitë private.
“Natyrisht kemi pas dëshirë që Ndërmarrja “Pastrimi” ta merr veten, t’i merr në funksion edhe kamionët e ri, edhe kontenjerët të bëjë shpërndarjen e tyre, t’i përvishet punës dhe ta eliminoj një gjendje të krijuar. Mirëpo meqenëse po shihet që suksesi po mungon, atëherë natyrisht që ne sot veç do i drejtohemi KRPK-së me një kërkesë që konform kësaj situate të krijuar, me këtë gjendje emergjente mos-përmirësimi të gjendjes që dy javë, të kemi mundësi që në një procedurë të përshpejtuar të zgjedhim një apo dy operatorë ekonomikë. Të cilët do i përveshin punës dhe do ia kthejnë prapë kryeqytetit gjendjen e pastër. Po, kjo është e vetmja zgjidhje, sepse ndërmarrja “Pastrimi” as për së afërmi nuk është në mundësi për ta ofruar shërbimin e dëshiruar”, theksoi ai.



