Përfaqësuesja e Kosovës e ka siguruar inkuadrimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi në Murcia të Spanjës e ka mposhtur Islandën me rezultat 3-1.
Në ndeshjen e parë, në Prishtinë, dardanët fituan me 2-1 dhe me rezultat të përgjithshëm 5-2 e siguruan ngjitjen në Ligën B.
Në ndeshjen e sotme shkëlqeu Vedat Muriqi, i cili realizoi het-trik.
Ishin islandezët ata që kaluan të parët në epërsi, duke shënuar qysh në minutën e dytë përmes Ori Oskarrson që realizoi për 1-0.
Pas pësimit të golit, Kosova filloi ta marrë ritmin e lojës duke kontrolluar kundërshtarin në çdo cep të fushës.
Në minutën e nëntë, Paqarada harkoi në zonë, Rrahmani gjuajti me kokë, por në duart e portierit.
‘Dardanët’ rrezikuan sërish në minutën e 15-të, kësaj radhe përmes Ermal Krasniqit, por ai ishte i pafat pasi gjuajtja e tij përfundoi pak mbi portë.
Pas disa tentimeve të njëpasnjëshme për ta gjetur golin, Kosova shënoi në minutën e 35-të.
Nga një aksion fantastik që kaloi fillimisht në këmbët e Milot Rashicës dhe pastaj tek Leart Paqarada, ky i fundit asistoi tek Vedat Muriqi i cili realizoi për rezultatin 1-1.
Po luheshin sekondat e fundit të pjesës së parë kur Milot Rashica bëri një super asistim për Vedat Muriqin i cili realizoi sërish për ta përmbysur rezultatin në 2-1 në të mirë të Kosovës.

Në pjesën e dytë Muriqi realizoi golin e tij të tretë personal dhe të tretin për Kosovën në këtë takim në minutën e 79-të për rezultatin 3-1.
Kjo fitore ishte një arritje historike për Kosovën pasi për herë të parë kemi siguruar pjesëmarrjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, teksa kujtojmë se vite më parë e kemi nisur nga Liga D.



