Në Tiranë i lavdëroj, në Beograd i kritikoj, përse ndryshoj mendim trajneri serb?
N

Në Tiranë i lavdëroj, në Beograd i kritikoj, përse ndryshoj mendim trajneri serb?

Pas barazimit në “Arenën Kombëtare”, në ndeshjen e tretë të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, Federata Serbe e Futbollit ka reaguar me një deklaratë të ashpër, duke hedhur akuza ndaj tifozëve shqiptarë dhe duke nisur, sipas shumë vëzhguesve, një fushatë viktimizimi.

Në deklaratën zyrtare të Federatës Serbe, thuhet se tifozët shqiptarë kanë bërë thirrje nacionaliste dhe kanë përmendur, sipas tyre, një organizatë terroriste – duke iu referuar UÇK-së, transmeton AutoPortali.

Deklarata e Federatës Serbe të Futbollit:

“Përballë situatës së shëmtuar që përjetuan lojtarët tanë në fushë, dëshirojmë të theksojmë se e gjithë delegacioni i Federatës së Futbollit të Serbisë, që nga momenti i mbërritjes në Tiranë deri në largim, është pritur jashtëzakonisht mirë nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe presidenti i saj, Armand Duka. Nga aeroporti deri në nisje, treguat respekt për ne.

Fatkeqësisht, ajo që ndodhi në tribuna është e papranueshme për botën e futbollit. Skena që UEFA i ka dënuar prej vitesh përmes rregulloreve të saj, e njollosën rëndë këtë ndeshje. Ne dënojmë fuqimisht çdo shpërthim të urrejtjes politike, provokimet dhe thirrjet që përmendin organizata terroriste.

Në disa raste, futbollistët tanë u kërcënuan edhe fizikisht. Nga tribunat u hodhën monedha, shishe dhe gota. Ndeshja u ndërpre nga gjyqtari italian, ndërsa spikeri zyrtar bëri disa njoftime, por pa ndonjë efekt konkret.

Gjithçka nisi me fishkëllima dhe vazhdoi me brohoritje që jo vetëm dëmtojnë atmosferën sportive, por cenojnë parimet e respektit dhe tolerancës që përfaqëson futbolli.”

Federata Serbe shpreh falënderime për mikpritjen zyrtare nga pala shqiptare, por thekson se sjelljet në tribuna janë për të ardhur keq dhe duhen dënuar.

Po ashtu, deklarata e tyre shkon më tej duke sqaruar se mediat e kanë keqinterpretuar deklaratat e trajnerit Dragan Stojković në konferencën për shtyp.

Deklarata e trajnerit Dragan Stojković:

“Si trajner i ekipit kombëtar serb, gjatë ndeshjes isha i fokusuar vetëm te loja, lojtarët dhe taktikat. Vlerësova atmosferën në stadium si një manifestim sportiv – me tribuna të mbushura dhe mbështetje për ekipin vendas, çka është pozitive për futbollin.

Megjithatë, nuk arrita t’i regjistroja të gjitha mesazhet ofenduese që erdhën nga tribunat. Më vonë, kur i pashë në media, i dënoj fuqimisht. Çdo brohoritje që fyen popullin serb, ekipin tonë apo cilindo tjetër, nuk ka vend në sport.

Është absurde që dikush të më akuzojë për mbështetje ndaj ekstremistëve apo nxitje të urrejtjes. Patriotizmin tim dhe përkushtimin ndaj popullit tim e kam dëshmuar shumë herë, si lojtar dhe si trajner.”

 

TË FUNDIT