Çmimet globale të naftës rriten pasi Izraeli sulmoi Iranin
Ç

Çmimet globale të naftës rriten pasi Izraeli sulmoi Iranin

Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm pasi Izraeli tha se kishte sulmuar Iranin, në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me më shumë se 10% menjëherë pas publikimit të lajmit, duke arritur nivelin më të lartë që nga janari.

Tregtarët janë shprehur të shqetësuar se një konflikt midis Iranit dhe Izraelit mund të ndërpresë furnizimet që vijnë nga rajoni i pasur me energji.

Ndërsa filloi tregtimi në Evropë, çmimet kishin rënë pak, rreth 5% më të larta se çmimi i mbylljes të së enjtes. Nafta e papërpunuar Brent e tregtuar në Londër kushtonte 72.80 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në Nymex të SHBA-së kushtonte 73.20 dollarë.

Çmimet e aksioneve ranë gjithashtu në Azi dhe Evropë të premten.

Indeksi FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar u hap me një rënie prej 0.6%.

Asetet e ashtuquajtura “strehë e sigurt” si ari dhe franga zvicerane kanë shënuar gjithashtu rritje.

Sipas BBC, disa investitorë po i shohin këto asete si investimet më të besueshme në kohë pasigurie.

Nëdersa, çmimi i arit arriti nivelin më të lartë në gati dy muaj, duke u rritur me 1.2% në 3,423.30 dollarë për ons.

Pas sulmit të Izraelit, Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) thanë se Irani kishte lëshuar rreth 100 dronë drejt vendit.

Analistët i kanë thënë BBC-së se tregtarët e energjisë tani do të vëzhgojnë se sa do të përkeqësohet konflikti në ditët në vijim.

“Është një situatë shpërthyese, megjithëse një situatë që mund të çaktivizohet shpejt, siç e pamë në prill dhe tetor të vitit të kaluar, kur Izraeli dhe Irani goditën njëri-tjetrin drejtpërdrejt”, tha Vandana Hari e Vanda Insights për BBC-në.

“Kjo gjithashtu mund të shndërrohet në një luftë më të madhe që do të prishë furnizimin me naftë në Lindjen e Mesme”, shtoi ajo.

Në një skenar ekstrem, Irani mund të ndërpresë furnizimet me miliona fuçi naftë në ditë nëse synon infrastrukturën ose transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica është një nga rrugët më të rëndësishme të transportit detar në botë, me rreth një të pestën e naftës botërore që kalon nëpër të.

Në çdo kohë, ka disa dhjetëra cisterna në rrugën e tyre drejt Ngushticës së Hormuzit, ose duke u larguar prej saj, ndërsa prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme dhe klientët e tyre transportojnë energji nga rajoni.

I kufizuar në veri nga Irani dhe në jug nga Omani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin me Detin Arabik.

“Ajo që shohim tani është një reagim shumë fillestar ndaj rrezikut. Por gjatë një ose dy ditëve të ardhshme, tregu do të duhet të marrë në konsideratë se ku mund të përshkallëzohet kjo”, tha Saul Kavonic, kreu i kërkimit të energjisë në MST Financial. /AutoPortali

TË FUNDIT