Ndërsa temperaturat globale po rriten në mënyrë alarmante, shkencëtarët paralajmërojnë se disa qeveri ende nuk po veprojnë me shpejtësinë dhe seriozitetin që kërkon kriza klimatike. Edhe pse është thelbësore të vazhdohet me uljen sa më të shpejtë të emetimeve të metanit dhe dioksidit të karbonit, studiues nga Universiteti i Kembrixhit theksojnë se nevojiten urgjentisht edhe metoda të tjera për të ftohur planetin.
Sipas një raportimi të The Guardian, një nga propozimet më të diskutueshme deri tani ka qenë injektimi i sulfateve në atmosferë për të reflektuar rrezet e diellit përsëri në hapësirë. Por kjo mund të sjellë pasoja të rënda, pasi sulfatet mund të shkaktojnë shi acid dhe të ndërhyjnë në ciklet natyrore të reshjeve.
Për të shmangur efektet anësore dhe polemikat, studiuesit britanikë po eksperimentojnë me substanca të tjera reflektuese, që janë të padëmshme për mjedisin. Këto materiale po ngjiten në stratosferë përmes balonave meteorologjike dhe më pas rikuperohen për të studiuar ndikimin që ekspozimi ka pasur mbi to. Asnjë material nuk do të lirohet në atmosferë gjatë këtij procesi, por do të analizohet potenciali i tyre për të ftohur planetin në mënyrë të sigurt.
Në të njëjtën kohë, po testohen edhe ide të tjera si: hapja e vrimave në akullin e Arktikut gjatë dimrit dhe pompimi i ujit të detit mbi akullin ekzistues për ta trashur atë; apo krijimi i reve artificiale përmes spërkatjes së ujit të detit mbi sipërfaqen e oqeanit – të gjitha me qëllim reflektimin e rrezeve të diellit dhe uljen e temperaturës globale.
Nëse këto metoda rezultojnë të efektshme dhe pa rrezik për mjedisin, ato mund të jenë ndër alternativat më të rëndësishme për të frenuar përkeqësimin e krizës klimatike. /AutoPortali



