Bashkimi Evropian po përballet me kritika të ashpra për shkak të tërheqjes së shpejtë dhe të thellë nga politikat e tij mjedisore, që ishin pjesë e Green Deal-it evropian. Organizatat ambientaliste kanë ngritur alarmin, duke e cilësuar këtë prapakthim si më të madhin dhe më të shpejtin në dekadat e fundit.
Që nga fundi i vitit 2023, kur sondazhet paralajmëruan një zhvendosje të fortë politike djathtas para zgjedhjeve të BE-së në 2024, shumë prej ligjeve mjedisore janë dobësuar ose janë shtyrë për zbatim, transmeton AutoPortali.
Kjo tendencë është intensifikuar edhe më shumë pas fillimit të mandatit të ri të Komisionit Evropian, i cili ka vendosur fokus të fortë te konkurrueshmëria ekonomike dhe ulja e barrës administrative për bizneset.
Ndër masat më të diskutueshme është shtyrja me një vit e ligjit për ndalimin e shpyllëzimit në zinxhirët e furnizimit, dhënia e dy viteve shtesë për prodhuesit e makinave për të përmbushur normat e ndotjes dhe ulja e nivelit të mbrojtjes për speciet e rrezikuara, përfshirë edhe ujkun.
Njëkohësisht, është bllokuar edhe financimi për shumë organizata mjedisore, gjë që ato e quajnë një sulm ndaj demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare, shkruan The Guardian.
Një tjetër goditje për politikat mjedisore ishte anulimi i ligjit kundër “greenwashing” – një rregullore që synonte të ndalonte pretendimet e rreme të kompanive për produktet e tyre si “miqësore me ambientin”.
Kjo ndodhi pasi grupi më i madh në Parlamentin Evropian, Partia Popullore Evropiane (EPP), bashkë me parti të ekstremit të djathtë, kërkuan tërheqjen e projektligjit, duke e cilësuar atë si barrë për bizneset.
Komisioni Evropian ka mbrojtur këtë kurs të ri politik, duke thënë se nuk bëhet fjalë për dobësim të mbrojtjes së mjedisit, por për “thjeshtim të rregullave” dhe përmirësim të konkurrueshmërisë ekonomike të BE-së. Megjithatë, kritikët thonë se kjo është një paketë dobësimi e standardeve mjedisore dhe sociale.
Sipas organizatës “Friends of the Earth Europe”, plani i ri do të vonojë zbatimin e raportimeve për qëndrueshmëri nga korporatat me dy vite, do të ulë numrin e kompanive të përfshira në këto raportime me 80%, do të heqë detyrimin për analiza të thelluara të ndikimit dhe do të përjashtojë rreth 90% të bizneseve nga mekanizmi i rregullimit të karbonit në kufi.
Ekspertët paralajmërojnë se ky prapakthim vjen në një kohë kur Evropa ka nevojë të përshpejtojë tranzicionin drejt një ekonomie të gjelbër dhe konkurruese. Ata theksojnë se ulja e standardeve sot do të ketë pasoja të rënda ekonomike dhe klimatike në të ardhmen.
“Abandonimi i Green Deal-it do të jetë një gabim strategjik për Evropën,” ka deklaruar Marco Contiero nga Greenpeace EU, duke paralajmëruar se kontinenti mund të mbetet prapa në garën globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe teknologji të gjelbër. /AutoPortali



