Shqipëria në luftë me zjarret: 26 vatra të fikura brenda 24 orëve, rreziku mbetet i lartë
S

Shqipëria në luftë me zjarret: 26 vatra të fikura brenda 24 orëve, rreziku mbetet i lartë

Shqipëria po përballet me valën e parë serioze të zjarreve për këtë sezon. Vetëm në 24 orët e fundit, janë raportuar 26 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të 449 forcave operacionale dhe 64 mjeteve zjarrfikëse, të gjitha vatrat janë neutralizuar. Në terren u angazhuan gjithashtu edhe Forcat e Armatosura me dy automjete zjarrfikëse, 14 efektivë dhe një helikopter Cougar, i cili u përdor në rastet më problematike, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes.

Zonat më të prekura ishin qarqet e Vlorës, Gjirokastrës, Lezhës, Shkodrës, Dibrës, Korçës, Tiranës, Kukësit, Durrësit dhe Beratit, me zjarre kryesisht në sipërfaqe me bimësi. Sipas të dhënave zyrtare, flakët dogjën rreth 56 hektarë me pemë, shkurre dhe barishte.

Në dy raste, zjarret përfshinë edhe objekte të banuara dhe biznese, duke shkaktuar dëme materiale, transmeton AutoPortali.

Një nga ngjarjet më të rënda u shënua në Durrës, ku një vatër zjarri përfshiu një treg industrial, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mallra dhe pajisje, pavarësisht reagimit të shpejtë të zjarrfikësve.

Po ashtu, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Kuçovë, një zjarr ra pranë dy puseve të naftës në fshatin Kozare, ku u dëmtuan dy elektromotorë. Hetimet paraprake flasin për këputje të telave të tensionit të ulët si shkak i mundshëm i flakëve. Në këtë operacion u angazhuan forca zjarrfikëse nga Berati dhe Kuçova, policia dhe forca bashkiake, me një total prej mbi 20 efektivësh dhe 4 automjete zjarrfikëse në vendngjarje.

Ministria thotë se Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar për rrezik të lartë zjarresh sot në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku vlerësohet i moderuar.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile mbetet në monitorim të vazhdueshëm dhe në gatishmëri për çdo ndërhyrje të nevojshme. /AutoPortali

TË FUNDIT