Bekim Gashi nga e mërkura do të jetë drejtori i ri i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës. Lajmin e ka bërë të ditur Bekim Brestovci, drejtori aktual i Inspektoratit të Prishtinës, i cili zyrtarisht i ka dorëzuar detyrën Gashit.
Në një postim në Facebook, Brestovci ka shkruar se Gashi, i cili deri më tani ka shërbyer si këshilltar në kabinetin e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, tashmë e merr drejtimin e kësaj drejtorie me pritshmëri të larta për arritjen e objektivave gjatë vitit 2025, shkruan AutoPortali.
“Sot, duke vazhduar të mbaj pozitën e Drejtorit të Inspektoratit në Kryeqytet, i dorëzova detyrën e drejtorit të Shërbimeve Publike Bekim Gashit, deri më sot këshilltar në kabinetin e kryetarit Rama. Drejtorit të ri i uroj punë të suksesshme dhe realizim të plotë të të gjitha objektivave për vitin 2025. Të priftë e mbara, drejtor Beka!”, ka shkruar Brestovci.
Emërimi i Gashit vjen pas një periudhe ku Brestovci ka mbajtur dy pozita paralelisht, si drejtor i Inspektoratit dhe i Shërbimeve Publike./AutoPortali




