Pas disa orësh ndërprerje të qarkullimit për automjetet e tonazhit të rëndë, është hapur sërish rruga që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, konkretisht drejt pikës kufitare Hani i Elezit – Bllacë, përcjell AutoPortali.
Lajmi është konfirmuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, e cila përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se rruga tashmë është funksionale për kalimin e kamionëve.
Ndalesa e përkohshme erdhi si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu në territorin e Maqedonisë së Veriut, në afërsi të tunelit që ndodhet pranë kufirit me Kosovën. Për shkak të rrezikut nga përhapja e flakëve dhe tymit të dendur, autoritetet morën masën e pezullimit të përkohshëm të qarkullimit për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve në trafik.
Aktualisht, rruga është e kalueshme dhe qarkullimi po zhvillohet normalisht, por autoritetet u bëjnë thirrje shoferëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve kufitare dhe zjarrfikëseve në terren./AutoPortali/




