Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë lagjen e Shimve në bashkinë Rrogozhinë në Shqipëri, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis dhe duke vënë në rrezik serioz banesat përreth. Si pasojë e flakëve, janë djegur qindra pemë ulliri, pemë frutore dhe rreth 10 hektarë bimësi, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar në njerëz.
Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimit, duke shkuar në vendngjarje dhe duke nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Ndërkohë, shërbimet zjarrfikëse, me ndihmën e Policisë, arritën që pas disa orësh përpjekjesh të shuajnë zjarrin dhe të shmangin përhapjen e tij në banesat përreth, shkruan AutoPortali.
Brenda pak minutash, falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit I. R., 41 vjeç, banues në Rrogozhinë. Hetimet paraprake treguan se ky shtetas kishte ndezur zjarr për djegien e mbeturinave në oborrin e një banese, por për shkak të erës së fortë, flakët dolën jashtë kontrollit dhe përhapën zjarrin në zonë të gjerë.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i mjedisit pyjor”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



