Në një verë të shënuar nga një numër i madh zjarresh në Kosovë, ndihma ndërkombëtare nuk ka munguar. Trupat amerikane nga Garda Kombëtare e Kentucky-t, pjesë e Task Forcës së Aviacionit, kanë ndërhyrë për të ndihmuar autoritetet vendore në përballimin e flakëve, të cilat rrezikonin edhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Një nga rastet më të ndjeshme ishte ai pranë Manastirit të Deviçit, në komunën e Skënderajt, ku zjarret u përhapën në afërsi të objektit të shenjtë. Reagimi i shpejtë i trupave amerikane ishte vendimtar për mbrojtjen e këtij monumenti të rëndësishëm fetar dhe historik, shkruan AutoPortali.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes, përmes një postimi në platformën “X”, ku theksohet angazhimi i Gardës së Kentucky-t në operacionin për shuarjen e zjarrit.
“Kur zjarret kërcënuan Manastirin e Deviçit në Kosovë, Garda e Kentakit, Task Forca e Aviacionit, u vendos në aksion. Falë reagimit të tyre të shpejtë, manastiri u ruajt”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Ndërhyrja vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në ruajtjen e pasurisë kulturore dhe historike të vendit. Kjo ngjarje është një tjetër dëshmi e miqësisë dhe mbështetjes afatgjate që SHBA i ofron Kosovës.



