Valdet Kaçandolli e ka përballuar me sukses edhe një sfidë në aventurën e tij jetësore, Kampionatin Evropian në Hill Climb.
Në garën e 7-të, në Limanova të Polonisë, Kaçandolli me Suyzuki Swift u rendit i treti në Grupin 3, duke i inkasuar edhe 15 pikë të reja, shumë të rëndësishme për plasmanin përfunditar.
“Ishte garë shumë sfiduese, sidomos duke marrë parasysh kushtet atmosferike. Jam i kënaqur që sërish isha në podium dhe tani duhet të mendojmë për garat e radhës”, ka thënë Kaçandolli pas garës në Poloni.
Në vozitjen e parë, ai në cak arriti për 02:25.574 minuta, ndërsa në të dytën për 02:31.704, koha e përgjithshme 04:57.278 minuta.

Pas shtatë garave të mbajtura, në Grupin 3, ku deri tani janë paraqitur 17 garues, Valdeti renditet i dyti me 89 pikë.
para tij është vetëm garuesi çek Marek Rybniçek me 133 pikë.
Deri në fund të kampionatit të sivjetmë kanë mbetur edhe tri gara, në Zvicër, Slloveni dhe Kroaci.



