Një ngjarje tragjike është shënuar sot në fshatin Bresanë të komunës së Dragashit, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, të marra gjatë punës me traktor në një zonë malore.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia Rajonale e Prizrenit, rreth orës 09:50 të mëngjesit, Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë ka pranuar një person të lënduar rëndë, të identifikuar si D.A., i cili ishte sjellë në qendër nga vëllai i tij. Pas dhënies së ndihmës së parë, i lënduari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por, për fat të keq, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Lajmin për AutoPortalin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot, më 18 korrik 2025, rreth orës 09:50, Policia është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Bresanë, Dragashë se një person mashkull, D.A. (40 vjeç), është sjellë në qendër nga vëllai i tij me lëndime të rënda trupore. Pas ofrimit të ndihmës së parë, ai është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas, për shkak të lëndimeve të marra, ka vdekur.
Sipas informatave fillestare, viktima ishte duke punuar me traktor në zonën malore të fshatit Bresanë, Dragashë në momentin e incidentit. Rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta.
Policia ka reaguar menjëherë, ka dalë në vendin e ngjarjes, ka siguruar zonën dhe ka njoftuar njësitet përkatëse hetimore. Në vendngjarje është angazhuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”, ndërsa trupi pa jetë është dërguar në Institutine Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.”, tha Byqyti.



