Trajneri i skuadrës Copenhagen, Jacob Neestrup, ka lavdëruar skuadrën kosovare, Drita, pas përballjes së parë në Ligën e Kampionëve, e të cilën e fituan 2:0 danezët.
“Siç pritej, ishte e vështirë të depërtoje përmes Dritës, ndaj kërkoi shumë durim, dhe në përgjithësi jam i kënaqur që fituam 2-0”, tha fillimisht ai, shkruan AutoPortali.
“Mendoj se e nisëm shumë mirë pjesën e parë, ndërsa 10 minutat e para të pjesës së dytë ishin më pak të mira, por u përmirësuam gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës dhe e përfunduam ndeshjen shumë mire”, tha më tutje trajneri.
“Siç e thashë, ishim të përgatitur për mënyrën se si ata luajnë, dhe e kemi parë këtë edhe në ndeshjet e tyre ndaj skuadrave që janë pak më të dobëta, në të njëjtin nivel apo pak më të mira se ne. Ata kanë një mbrojtje të fortë, prandaj është çështje balance – siç e përmenda – mes durimit dhe vendosjes së ritmit të lojës, dhe ne nuk ia dolëm gjithmonë në këtë drejtim”, përfundoj Neestrup.
Dueli kthyes mes dy skuadrave zhvillohet javën e ardhshme në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.


                                    

