Komuna e Prishtinës pas mbylljes së pishinës: Mos përhapni panik pa rezultate përfundimtare
K

Komuna e Prishtinës pas mbylljes së pishinës: Mos përhapni panik pa rezultate përfundimtare

Pishina e Gërmisë në Prishtinë është mbyllur përkohësisht me urdhër të Inspektoratit Sanitar të Ministrisë së Shëndetësisë, pas publikimit të analizave të ujit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Ndonëse rezultatet përfundimtare ende nuk janë publikuar, vendimi për mbylljen është marrë si masë paraprake për mbrojtjen e shëndetit publik.

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se Ndërmarrja Publike Lokale “Sportmarketing”, që menaxhon pishinën, ka iniciuar vetë procesin e analizimit të ujit në bashkëpunim me IKSHPK-në, duke synuar monitorim javor dhe të vazhdueshëm të cilësisë.

Komuna ka theksuar se janë të përkushtuara të zbatojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve përkatëse dhe se siguria e qytetarëve mbetet prioritet, shkruan AutoPortali.

Në reagimin e saj, Komuna shpreh shqetësim për, siç thotë, “alarm të panevojshëm” të krijuar nga deklarata publike të parakohshme, që sipas saj, nuk mbështeten në të dhëna përfundimtare. Mostrat e dyta të ujit aktualisht janë në analizë laboratorike dhe rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nesër.

“Nuk duhet krijuar konfuzitet te qytetarët pa përfunduar analizat zyrtare. Do të jemi transparentë dhe do të njoftojmë publikun menjëherë sapo të kemi rezultatet finale”, thuhet në reagimin e Komunës.

Ndërkohë, qytetarëve u bëhet thirrje për maturi dhe durim deri në përfundimin e procesit të analizave. Pishina do të qëndrojë e mbyllur deri në një vendim tjetër, në varësi të gjetjeve përfundimtare të IKSHPK-së. /AutoPortali

TË FUNDIT