Një drejtues automjeti është ndëshkuar me gjobë dhe zbritje pikësh nga leja e drejtimit, pasi u kap në flagrancë duke kryer një parakalim të rrezikshëm në aksin rrugor “Lezhë–Mabë”. Rasti u bë publik përmes një videoje të postuar në platformën “Harta Digjitale e Aksidenteve Rrugore”, ku dokumentohej qartë manovra e rrezikshme.
Pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës ndërhynë menjëherë për identifikimin e drejtuesit të mjetit. Nga verifikimet rezultoi se bëhej fjalë për shtetasin Gj. P., banues në Shkodër, njëkohësisht edhe pronar i automjetit, shkruan AutoPortali.
Në bazë të neneve 141 dhe 127 të Kodit Rrugor, drejtuesi u ndëshkua me një masë administrative prej 12 000 lekësh dhe iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit.



