Gentian Shaqiri fiton me rekord në Brezovicë
G

Gentian Shaqiri fiton me rekord në Brezovicë

“Brezovica 2026” ishte garë e rëndësisë së shumëfishtë, ndërsa sivjet ishte edhe Memorial kushtuar ikonës së auto sportit kosovar, Menduh Daka, i cili ndërroi jetë në vitin e kaluar.

Në fillim të ceremonisë së shpalljes së fituesve ishte një moment mjaft emocional.

Faton Hyseni në emër të AK Ferizajt dhe kryetari i FASK-ut, Agron Dida, ndanë mirënjohje për familjen e të ndjerit Daka.

Duke marrë parasysh se gara ishte e vlefshme për FIA CEZ dhe Kampionatin e Kosovës, pastaj faktin që sivjet fituesit janë ndarë për makinat njëvendëshe dhe kategorinë e veturave, patëm disa fitues.

Gjithsesi, fituesi kryesor ishte garuesi nga Shqipëria, Gentian Shaqiri.

Ai me Tatuus, shtegun prej 7.7 kilometrave e kaloi për vetëm 03:47.470 minuta, duke vendosur rekord të ri të shtegut.

“Jam shumë i kënaqur me garën e sotme. Ishte organizim shumë i mirë për çka e përgëzoj organizatorin, me theks të veçantë Sedatin (Ryshën) për punën e madhe që ka bërë, sidomos për asfaltimin e pjesë së rrugës që kishte shumë nevojë. Jam i kënaqur edhe me faktin që vendosa rekord të shtegut. Edhe makina sot ishte në gjendje shumë të mirë. Me një fjalë, ishte një ditë shumë e mirë”, ka thënë Shaqiri pas fiores.

Në pozitën e dytë në plasmanin e përgjithshëm të FIA CEZ u rendit Bardhyl Canolli i Eurogoma RT me Radicall SR8, me kohë 03:57.749 minuta, ndërsa podiumi u plotësua me Blerand Hasanajn e Prizenit D&G, i cili me Audi S3 në cak arriti për 04:15.512 minuta.

Bardhyl Canolli ishte i pari në plasmanin e përgjithshëm për makinat njëvendëshe për kampionatin vendor, ndërsa tre të parët në kategorinë e veturave ishin: Blerand Hasanaj e Egzon Ukëhaxhaj të Prizrenit D&G dhe Gazmend Demolli i Prishtina Racing Team.

Në plasmanin ekipor, në pozitën e parë u rendit Prizreni D&G me 90 pikë, para AK Ferizajt me 82.5 e Klubi Auto Kosova – Ferizaj me 45 pikë.

Klubi organizator, për klubin më të suksesshëm i ndau 300 euro, për të dytin 200 dhe për të tretin 100 euro.

Kur jemi te këto shpërblime, kryetari i AK Ferizajt, Sedat Rysha, bëri edhe një veprim human, pasi shumën që i takoi klubit të tij (200 euro) ia dhuroi garuesit Xhengiz Hajrullahu, i cili e dëmtoi veturën gjatë garës.

Rezultatet komplete mund t’i shihni në linkun e mëposhtëm:

https://kstiming.com/

TË FUNDIT