Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga sot do të fillojnë punimet për vendosjen dhe përmirësimin e sinjalistikës horizontale dhe vertikale në rrugën “Enver Maloku”, me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion dhe organizimit më të mirë të qarkullimit rrugor.
Sipas njoftimit zyrtar, punimet do të përfshijnë ndarjen e shiritave të qarkullimit për automjete, korsitë për autobusë dhe biçikleta, si dhe vendosjen e vijave të bardha dhe vendkalimeve për këmbësorë. Përveç sinjalistikës, do të ndërmerren edhe masa shtesë për siguri rrugore, përfshirë vendosjen e tabelave orientuese dhe paralajmëruese, shkruan AutoPortali.
Punimet do të zhvillohen gjatë orëve të natës, nga ora 00:00 deri në 05:00, për të shmangur pengesat në qarkullimin ditor. Në këtë kohë do të ketë kufizime të përkohshme dhe ndalesa të shkurtra në qarkullim, nga kryqëzimi i rrugës “Enver Maloku” me rrugët “Xheladin Rekaliu” dhe “Edmond Hoxha”, deri tek kryqëzimi me rrugën “B” – “Agron Rrahmani” (rrethrrotullimi).
Komuna u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm dhe udhëzimet e ekipeve në terren, me qëllim të realizimit të sigurt dhe efikas të punimeve.



