Bllokoi zjarrfikësen me BMW-në, i riu përfundon në polici
B

Bllokoi zjarrfikësen me BMW-në, i riu përfundon në polici

Një 22-vjeçar nga Tirana është proceduar penalisht nga Policia e Himarës, pasi parkoi automjetin e tij në mënyrë të gabuar, duke bllokuar kalimin e një mjeti zjarrfikës që ndodhej në një situatë emergjente. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “25 Marsi” të qytetit bregdetar, ku automjeti tip “BMW” i drejtuar nga shtetasi A. Sh. u konstatua se kishte penguar qarkullimin në mënyrë të rrezikshme.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Qarkullimit Rrugor, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe shoqëruan drejtuesin e mjetit, së bashku me automjetin, në ambientet e komisariatit. Pas veprimeve hetimore, i riu u procedua penalisht për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, në bazë të nenit 293 të Kodit Penal, shkruan AutoPortali.

Përveç ndjekjes penale, ndaj tij u vendos edhe një gjobë administrative prej 20 000 lekësh, në zbatim të nenit 159 të Kodit Rrugor, për parkim të gabuar që pengon qarkullimin.

TË FUNDIT