Një i ri 23-vjeçar është ndëshkuar nga Policia Rrugore e Lezhës pasi u kap duke qarkulluar me një automjet luksoz tip “G-Class” në brezin e rërës në breg të detit, në zonën e plazhit të Vainit. Veprimi i tij jo vetëm që përbën shkelje të qartë të Kodit Rrugor, por ka rrezikuar seriozisht sigurinë e pushuesve që ndodheshin në zonë.
Ngjarja u bë publike pas shpërndarjes së një videoje në rrjetet sociale nga portali “JOQ Albania”, ku automjeti shfaqej duke lëvizur në mënyrë të papërgjegjshme në vijën bregdetare. Menjëherë pas publikimit, Policia Rrugore ndërhyri duke kryer verifikimet e nevojshme për identifikimin e drejtuesit të mjetit, shkruan AutoPortali.
Në përfundim të veprimeve, u bë e mundur identifikimi dhe shoqërimi në komisariat i shtetasit A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë. Ai u ndëshkua me një masë administrative prej 50 000 lekësh, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë.



