Fundjava për garuesit dhe dashamirët e disiplinës malore do të jetë e veçantë. Në radhë është gara në Brezovicë, e cila është e rëndësisë dhe e karakterit të veçantë.
“Brezovica 2026” është e vlefshme për Kampionatin e Kosovës dhe Kampionatin e FIA CEZ, ndërsa sivjet do të jetë edhe Memorial për nder të ikonës së auto sportit kosovar, Menduh Daka, i cili ndërrroi jetë në vitin e kaluar.
Federata e Auto Sportit e Kosovës dhe AK Ferizaj, kanë vendosur që në këtë mënyrë të nderohet ish-garuesi, themeluesi, ish-kryetari e nënkryetari i FASK-ut, ndërsa me shumë gjasë kjo do të jetë tradicionale.
Brezovica është gara e katërt në disiplinën malore për kampionatin e sivjetmë, pas Grashticës, Kullës dhe Krujës.
Të shtunën duke filluar nga ora 08:00-10:00 nisin procedurat administrative e më pas dy vozitjet testuese, ndërsa të dielën, në orën 11:00 është hapja zyrtare e më pas vozitja zyrtare.
Ndryshe, Brezovica është gara e vetme në Kosovë me vetëm një vozitje.



