Një tjetër figurë e njohur e futbollit evropian i bashkohet valës së transferimeve drejt Lindjes së Mesme.
Qendërmbrojtësi spanjoll Iñigo Martínez ka përfunduar zyrtarisht aventurën e tij me Barcelonën dhe ka firmosur me klubin saudit Al Nassr, ku do të bëhet bashkëlojtar me yllin portugez Cristiano Ronaldo.
Sipas raportimeve të gazetarit Fabrizio Romano, marrëveshja është arritur plotësisht dhe Martínez do të transferohet si lojtar i lirë, pasi ka prishur kontratën me klubin katalanas me efekt të menjëhershëm, transmeton AutoPortali.
Kjo lëvizje e papritur vjen vetëm një vit pasi mbrojtësi spanjoll iu bashkua Barcelonës nga Athletic Bilbao.
Martínez ka rënë dakord për një kontratë që do ta mbajë të lidhur me Al Nassr deri në qershor të vitit 2026, me mundësi rinovimi edhe për një vit tjetër, deri në 2027.
Ky transferim konsiderohet një tjetër hap i rëndësishëm në përforcimin e skuadrës saudite, e cila po synon dominimin në kampionatin vendas dhe sukses në arenën ndërkombëtare.
Për 33-vjeçarin, kjo do të jetë hera e parë që luan jashtë Spanjës, pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme në La Liga.
Kalimi në Ligën Saudite tregon qartë ndikimin dhe fuqinë financiare që klubet e Lindjes së Mesme po shfaqin në tregun ndërkombëtar të transferimeve. /AutoPortali



