Një aksident trafiku me pasoja lëndimi ka ndodhur pasditen e së martës në qytetin e Prizrenit. Rasti është raportuar më 12 gusht 2025, rreth orës 17:40, në rrugën “Bajrije Bahtjari”, ku dy automjete janë përfshirë në një përplasje.
Sipas informatave zyrtare nga policia, si pasojë e aksidentit një pasagjere femër, shtetase e Kosovës, ka pësuar lëndime trupore. Ajo është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore dhe pas pranimit të trajtimit është liruar nga spitali, pasi lëndimet nuk kanë qenë serioze, shkruan AutoPortali.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së informacionit, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e provave dhe menaxhimin e trafikut në zonë. Po ashtu, është hapur një hetim për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësit e këtij aksidenti.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.



