Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një apel urgjent për banorët e Nartës, Skënderbegasit në Gramsh dhe Delvinës, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarreve në këto zona.
Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet e ekipeve të emergjencës dhe të evakuohen menjëherë drejt zonave të sigurta, për të shmangur çdo rrezik për jetën.
Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës civile janë në terren, ndërsa situata mbetet kritike për shkak të erërave të forta që favorizojnë përhapjen e flakëve, shkruan AutoPortali.
Ditët e fundit, Shqipëria po përballet me një valë zjarresh që po përhapet me shpejtësi në disa qarqe, duke rrezikuar banesa, tokë bujqësore dhe zona pyjore. Temperaturat e larta dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe forcave të emergjencës, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal dhe bashkëpunim në evakuime. /AutoPortali