Ardon Jashari flet për transferimin në AC Milan
A

Ardon Jashari flet për transferimin në AC Milan

Futbollisti i Kombëtares së Zvicrës, Ardon Jashari, ka folur për herë të parë në një konferencë për media si lojtar i AC Milanit, duke ndarë detaje nga transferimi i tij nga Club Brugge në ekipin italian.

Jashari ka zbuluar se bisedimet për kalimin në “San Siro” kanë qenë të gjata, por që nga fillimi, ka qenë e qartë se ai do të vishte fanellën e Milanit. “Negociatat ishin të ngadalta, por që nga kontakti i parë, ishte e qartë se do të vija këtu. Nuk ishte e lehtë, sepse te Club Brugge isha shumë i rëndësishëm,” tha Jashari.

Futbollisti shqiptar gjithashtu ka ndarë një histori interesante me Igli Taren, drejtorin e AC Milan, i cili i premtoi se do të bëntë gjithçka për ta sjellë në Milano. “Igli Tare gjithmonë më thoshte se do të bëntë gjithçka për të më sjellë këtu. Edhe pse kishte oferta të tjera, unë doja vetëm Milanin. Tani jemi të gjithë të lumtur,” shtoi Jashari.

Përsa i përket presionit që vjen me fanellën e Milanit, Jashari tha: “Ndihem pak nën presion, por kushdo që vesh këtë fanellë e njeh presionin. Mendoj se është normale dhe do të punoj shumë për të bërë tifozët krenarë dhe për të shpërblyer besimin e klubit.”

Ardon Jashari ka bërë debutimin e tij me Milanin në një ndeshje miqësore dhe mund të ketë mundësinë të luajë këtë të diel në Coppa Italia ndaj Barit.

TË FUNDIT