Klube të mëdha spanjolle shprehin interesim për Kumbullën
K

Klube të mëdha spanjolle shprehin interesim për Kumbullën

Marash Kumbulla pritet të largohet përfundimisht nga AS Roma, pasi nuk është më në planet e klubit kryeqytetas për sezonin e ri.

Qendërmbrojtësi shqiptar është në kërkim të një destinacioni të ri dhe aktualisht ka disa opsione të hapura për të vazhduar karrierën.

Një nga pistat më konkrete është ajo e Cagliarit, që ka nisur bisedimet me Romën për transferimin e Kumbullës.

Klubi nga Sardenja kërkon të përforcojë repartin defanziv dhe e sheh përfaqësuesin shqiptar si një përforcim cilësor, me përvojë në Serie A.

Megjithatë, interesimi për Kumbullën nuk ndalet në Itali, pas paraqitjeve të mira me Espanyolin sezonin e kaluar, ku luajti si i huazuar dhe tregoi formë të qëndrueshme, disa klube spanjolle kanë shfaqur interesim për të.

Sipas gazetarit të njohur italian, Matteo Moretto, tre skuadra nga La Liga janë futur në garë për shërbimet e Kumbullës, Alaves, Mallorca dhe Sevilla, një klub me traditë në kompeticionet evropiane, transmeton AutoPortali.

Në të kundërt, Espanyoli, skuadra ku ai kaloi sezonin e kaluar, është tërhequr nga gara, pasi aktualisht ka të mbushur repartin e mbrojtjes dhe nuk e konsideron më kthimin e Kumbullës si opsion të nevojshëm.

Në ditët në vijim pritet të qartësohet e ardhmja e qendërmbrojtësit shtatlartë shqiptar.

Zgjedhja e tij pritet të varet nga projekti sportiv që do t’i ofrohet, minuta e garantuar në fushë dhe sigurisht niveli i konkurrencës që kërkon në këtë fazë të karrierës.

Me një përvojë të mirë në Serie A dhe me rritjen që tregoi në La Liga, Kumbulla mbetet një nga mbrojtësit më të kërkuar shqiptarë në këtë merkato verore. /AutoPortali

TË FUNDIT