Mesfushori i ri i Milanit, Ardon Jashari, ka dhënë konferencën e parë për media si futbollist i gjigantit italian, ku emocionet, krenaria dhe mirënjohja nuk munguan.
Në fjalën e tij para gazetarëve italianë, talenti shqiptar foli me pasion për transferimin e tij te kuqezinjtë, ndikimin që ka pasur Granit Xhaka në karrierën e tij dhe përkatësinë e tij etnike, të cilën e vlerëson si burim force dhe identiteti, transmeton AutoPortali.
21-vjeçari, i cili konsiderohet një nga mesfushorët më premtues në futbollin zviceran, tregoi se inspirimi për të arritur nivele të larta vjen edhe nga bashkëkombësi i tij, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka.
“Granit Xhaka ka një karrierë të madhe prapa vetes, por është ende një lojtar i mrekullueshëm. Kam mësuar shumë nga ai – jo vetëm si futbollist, por edhe si person. Ajo çfarë kemi të përbashkët është prejardhja jonë, rrënjët tona shqiptare. Ne jemi rritur me atë grintën, atë forcën dhe zjarrin që na shtyn të japim gjithçka për të fituar, pavarësisht nëse është ndeshje futbolli apo sfidë tjetër në jetë”, u shpreh Jashari.
Mesazhi i tij i fuqishëm rezonoi thellë jo vetëm tek tifozët shqiptarë, por edhe tek ata italianë, të cilët tashmë e shohin në të një profil të ngjashëm me shumë lojtarë të përkushtuar që kanë lënë gjurmë te Milani.
Ai premtoi përkushtim të plotë dhe synimin për të lënë gjurmë në historinë e klubit legjendar.
“Milani është një nga klubet më të mëdha në botë. Është një nder i jashtëzakonshëm të jem pjesë e këtij institucioni futbolli. Kam ardhur këtu për të dhënë gjithçka, për të mësuar, për t’u rritur dhe për të fituar. Dua të jem pjesë e së ardhmes së këtij klubi dhe të kontribuoj në sukseset e tij”, shtoi ai.
Jashari theksoi se kjo energji, e trashëguar nga rrënjët dhe përvoja e tij jetësore, do ta udhëheqë edhe në aventurën e tij të re në Milano. /AutoPortali



